75 Mall Live Search
16:22 / E Martë, 16 Mars 2021 / Blerim

Buzhala: Vetëm për muajin mars zbritet fatura e energjisë elektrike

Ndryshimi i vendimit për subvencionimin e prodhimit të energjisë nga BRE, rezulton me zbritje në faturën e energjisë elektrike vetëm edhe për muajin mars, ka bërë të ditur zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Buzhala ka bërë të ditur se ndryshimi i vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme, në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike do të ndikojë edhe në faturat e energjisë elektrike të konsumatorëve.

“Me vendimin paraprak, tashmë të shfuqizuar, qeveria kishte ndarë një shumë prej rreth 16 milionë euro, të cilat do tu jepeshin prodhuesve të energjisë nga burimet e ripërtërishme përmes KOSTT-it.  Kjo nënkuptonte që shuma që do e përfitonin këta prodhues, do t’iu zbritej konsumatorëve”, theksoi ai.

Buzhala ka sqaruar se vendimi i fundit i marrë nga Qeveria e Kosovës (nr. 03/64 i datës 12 Shkurt 2021) ka përgjysmuar shumën e paraparë për t’u ndarë tek këta prodhues, nga 16 milionë në 8 milionë. Me përgjysmimin e buxhetit për subvencionim të prodhuesve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, sipas amandamentit të marrëveshjes së nënshkruar nga palët do të shkurtohet edhe periudha përfituese e zbritjes në fatura, e cila do të përfundon me faturimin e muajit mars 2021 dhe nuk do të aplikohet për muajt vijues.

“KESCO njofton konsumatorët që konform marrëveshjes paraprake, konsumatorët tashmë kanë përfituar nga zbritja në faturat e energjisë për periudhën Janar-Shkurt, ndërkaq për muajin Mars sipas vendimit dhe marreveshjes se re do të zbatohet zbritja prej 3.802 euro/MËh”, thekson tutje në njoftimin e tij Viktor Buzhala.

Ai ka thënë se amendamenti i marrëveshjes i nënshkruar ndërmjet palëve zbatuese të Ligjit: Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, ZRRE, KOSTT dhe KESCO do të zbatohet në faturat e muajit Mars.