08:12 / E Martë, 02 Prill 2019 / indeksADMonline

Buxheti i Kosovës regjistroi deficit të ulët buxhetor

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se sektori fiskal deri në nëntor 2018 u karakterizua me rritje të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore prej 4.4 përqind përkatësisht 13.0 përqind.

“Përkundër faktit se norma e rritjes së shpenzimeve ishte dukshëm më e lartë krahasuar me normën e rritjes së të hyrave, buxheti i Kosovës regjistroi deficit të ulët buxhetor prej 0.8 përqind e BPV-së. Borxhi publik në TM4 2018 ka arritur në 1.1 miliardë euro, që është për 9.7 përqind më i lartë krahasuar me TM4 2017”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton RTKlive.

Sipas BQK-së rritja e borxhit publik në Kosovë i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm përderisa borxhi i jashtëm publik u karakterizua me rënie. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 17.1 përqind nga 16.2 përqind sa ishte në TM4 2017.

“Në TM4 2018, sektori i jashtëm është karakterizuar me rritje vjetore të deficitit të llogarisë rrjedhëse për 31.2 përqind. Si përqindje e BPV-së, deficiti në llogarinë rrjedhëse vlerësohet të ketë arritur në 14.5 përqind, nga 11.7 përqind sa ishte në TM4 2017. Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse i atribuohet rritjes së deficitit të mallrave si dhe zvogëlimit të suficitit të shërbimeve dhe të ardhurave parësore, përderisa bilanci i të ardhurave dytësore shënoi rritje”, thuhet në raportin e BQK-së. /Indeksonline/