75 Mall Live Search
15:46 / E Mërkurë, 13 Maj 2026 / Gj Sh

Bylbyl Sokoli tregon arsyet e kandidaturës për deputet dhe prioritetet kryesore

Trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli i është futur përsëri garës për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Ai synon mandatin e tretë, pasi është përfshirë në listën e Levizjes Vetëvendosje, për zgjedhjet e 7 qershorit.

Sokoli në një intervistë për IndeksOnline, ka treguar arsyet për të cilat ka vendosur të garoj për deputetë.

Ai thotë se Parlamenti i Kosovës ka nevojë për profesionistë të sportit dhe do të angazhohet në përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive në Kosovë, ku fokusi do të jetë në këto dy drejtime.

“Duke parë gjendjen e sportit në vendin tonë, konsideroj se Parlamenti i Kosovës ka nevojë për profesionistë të sportit. Ne jemi një shtet i ri dhe kemi nevojë për përfaqësim nga të gjitha profilet e shoqërisë. Parlamenti ka nevojë për zërin e sportit dhe të sportistëve, sepse vetëm ata që e njohin nga afër këtë fushë mund të kontribuojnë realisht në përmirësimin e saj.

Prioritetet e mia kryesore do të jenë përmirësimi i infrastrukturës ligjore dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive në Kosovë. Fokusi im do të jetë kryesisht në këto dy drejtime: hartimi dhe avancimi i ligjeve për sportin dhe sportistët, si dhe krijimi i kushteve më të mira për punë dhe zhvillim për të gjitha kategoritë e sportistëve.”, ka deklaruar Bylbyl Sokoli për IndeksOnline.

Trajneri i Malishevës shtoi se do të angazhohet për investime më të mëdha në objekte sportive, ku të rinjtë dhe sportistët të kenë kushte dinjitoze, derisa ka edhe një mesazh për sportistët e rinj.

‘’Sporti duhet të jetë prioritet institucional, sepse ai ndikon drejtpërdrejt në edukimin, shëndetin dhe promovimin e shtetit tonë. Do të angazhohem për investime më të mëdha në objekte sportive moderne, në krijimin e hapësirave të përshtatshme për të rinjtë dhe në mbështetjen e klubeve dhe federatave sportive, në mënyrë që sportistët tanë të kenë kushte dinjitoze për zhvillim dhe sukses.

Mesazhi im për sportistët e rinj është që të besojnë në vetvete, të punojnë me disiplinë dhe të mos dorëzohen asnjëherë përballë sfidave. Sporti nuk të mëson vetëm si të fitosh në fushë, por edhe si të bëhesh më i fortë në jetë. Me përkushtim, sakrificë dhe punë të ndershme, çdo ëndërr mund të arrihet. Unë do të jem gjithmonë zëri i tyre dhe do të kontribuoj për përmirësimin e kushteve për sportistët, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në ndërtimin e objekteve sportive moderne në Kosovë.’’. deklaroi Bylbyl Sokoli për IndeksOnline.