Bytyqi: Aktakuza ndaj ministres Hajdarit përmban elementet e mjaftueshme për shkeljen e ligjit
Avokati Asdren Bytyqi ka vlerësuar në emisionin FIVE se aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj ministres në detyrë Rozeta Hajdari dhe dy zyrtarëve tjerë, është e bazuar dhe përmban elementet e mjaftueshme për veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimit të fshehtësisë zyrtare”.
Sipas Bytyqit, ministrja Hajdari ka shkelur ligjin duke vendosur të zhvillohet procedurë e negociuar për tenderët e rezervave shtetërore të vajit, sheqerit dhe miellit, të cilat sipas ligjit duhej të hapeshin në procedurë të hapur, pasi nuk konsiderohen sekret shtetëror.
“Ne kemi të bëjmë me vendimin e ministres në procedurë të negociuar të vendosen tenderët për rezerva shtetërore të vajit sheqerit dhe të miellit që në bazë të ligjit për rezerva shtetërore por edhe prokurimit të ofruar edhe nga ekspert brenda ministrisë përgjegjës është dashur të hapen në procedurë të hapur sepse nuk konsiderohen si sekret shtetëror sepse ministrja e ka kosnideru sekret shtetëror dhe e ka iniciuar procedurë të negociuar”, ka deklaruar ai.
Juristi thekson se ky vendim ka cenuar konkurrencën e lirë dhe ka rezultuar në blerjen e produkteve me çmime deri katër herë më të larta se ato të tregut.
Bytyqi ka shtuar gjithashtu se shkeljet janë përforcuar edhe nga pagesa paraprake për produktet, që sipas ligjit mund të bëhet vetëm për mjete të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai ka theksuar se argumenti i situatës pandemike nuk përbën justifikim, pasi tenderët janë dhënë në vitin 2022, dy vjet pas fillimit të pandemisë, në një fazë normalizimi, duke përjashtuar emergjencën si justifikim ligjor.
“Pastaj kur janë përzgjedhur kompania turke dhe polake çmimi i ofruar ka qenë katër fish më i lartë se i tregut, shembull çmimi për një tonë miell në treg ka qenë 183 euro kurse 483 euro është blerë po ashu edhe për sheqerine vajin. Dhe njëkohësisht janë bërë edhe shkelje tjera që është paguar në avans, që domethënë në bazë të ligjeve paguhet vetëm për mjete të sigurisë dhe mbrojtjes”, ka theksuar ai./Indeksonline/

