Bytyqi i interesuar për arsimimin e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në diasporë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur sot në takim një delegacion nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, të prirë nga kryetari Shukri Ymeri, me të cilët bisedoi për shumë çështje që kanë të bëjnë me mërgatën shqiptare, në veçanti për arsimimin e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në diasporë.
Ministri Bytyqi ka falënderuar Lobin për punën që po bën, duke i forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo që jetojnë dhe duke i shfrytëzuar këto lidhje për të mirën e përbashkët në shumë segmente të jetës dhe punës.
“Theksova rëndësinë që ka ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, e po ashtu edhe nevojën e një bashkëpunimi edhe më të madh, në mënyrë që të kyçen sa më shumë fëmijët shqiptarë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe të mos vijë deri te asimilimi i gjeneratave të reja”, ka thënë ministri Bytyqi.
Në këtë drejtim, si hap të rëndësishëm ministri ka përmendur Marrëveshjen Kosovë-Shqipëri për kurrikula të përbashkëta për mësimin në gjuhën shqipe në diasporë, si dhe tekstet falas që jepen për fëmijët që ndjekin mësimin plotësues.
Me delegacionin e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar u diskutua edhe mundësia e organizimit të një shkolle verore për fëmijët e mërgatës gjatë pushimeve verore në Kosovë./Indeksonline/