15:16 / E Enjte, 06 Gusht 2020 / indeksADMonline

Bytyqi kërkon transparencë në konkursin për memorialin e fëmijëve të vrarë të Kosovës

Arkitekti, Arianit Bytyçi, i ka shkruar letër krerëve institucionalë, duke i kërkuar respektim të bazës ligjore tek çështja e shpalljes së konkursit ndërkombëtar të arkitekturës për memorialin e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës.

“Çdo tentim i tejkalimit apo devijimit të kësaj baze ligjore, me qëllim të trajtimit të këtij projekti përmes procedurave të mbyllura apo procedurave të negociuara, që do të pamundësonte konkurrencën e projekteve të arkitektëve, skulptorëve e dizajnerëve vendorë e ndërkombëtarë, është e jashtëligjshme”, thekson Bytyçi.

Ai po ashtu kërkon koordinim të të gjitha ministrive përgjegjëse dhe institucioneve tjera publike që merren me memorialet e luftës, që të harmonizohen që këto konkurse të ngriten në nivelin e organizimit të konkurseve ndërkombëtare të projektimit, në mënyrë që çështja e dokumentimit të luftës çlirimtare të Kosovës dhe e gjenocidit serb në Kosovë të riafirmohet në nivelin ndërkombëtar me qëllim të rikthimit të kujtesës së opinionit dhe faktorit ndërkombëtar për domosdonë e gjykimit të gjenocidit serb në Kosovë.

Arkitekti Bytyqi propozon edhe që të themelohet një grup punues ndërinstitucional që do të merret me përgatitjen e konkurseve ndërkombëtarë për: Memorialin e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri në vitin 1999; Muzeun e Luftës së UÇK-së; Muzeun e Gjenocidit; dhe Monumentin e Lirisë dhe të Pavarësisë.

Sipas tij, ky grup duhet të punojë shumë edhe në caktimin e jurive profesionale kredibile për projektet e lartpërmendura, dhe që emrat e anëtareve të jurisë të bëhen publikë me qëllim të rritjes së transparencës dhe të kredibilitetit të proceseve të këtyre konkurseve.

Ky reagim vjen edhe pas kronikave dhe debateve të zhvilluara në Klan Kosova në lidhje me këtë temë.