19:03 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Ministri Bytyqi- Bankës Botërore: Po punojmë për arsim më cilësorë për të rinjtë tanë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur sot në takim disa përfaqësues të Bankës Botërore.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka shkruar se në takim u ka bërë me dije zyrtarëve të këtij misioni se arsimi në Kosovë nuk është në gjendjen e dëshirueshme, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Bytyqit:

Sot prita në takim përfaqësuesit e misionit të Bankës Botërore, të kryesuar nga znj. Asli Senkal, të cilët po qëndrojnë për një vizitë pune në Kosovë, me të cilët bisedova për zhvillimet në arsim, sfidat, nevojat si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

Theksova se Arsimi në Kosovë ende nuk është në gjendjen e dëshirueshme dhe se tashmë kemi identifikuar mangësitë dhe po vazhdojmë me procesin e reformave në përgjithësi, që të kemi një arsim më cilësorë për të rinjtë tanë.

Gjithashtu, theksova vështirësitë në organizimin e edukimit parashkollor 0-5, kryesisht në mungesë të hapësirës së nevojshme si dhe aspekte tjera që e mundësojnë këtë nivel edukimi.

Falënderova përfaqësuesit e BB-së për mbështetjen e vazhdueshme të projekteve arsimore e në veçanti për matjen e performancës së mësimdhënësve, proces i cili tashmë ka filluar.

Bashkë me përfaqësuesit e BB-së, biseduam edhe për çështje tjera siç është llogaridhënia, si dhe hartimi i Strategjisë për Arsimin e Lartë, që tashmë është në proces. /Indeksonline/