75 Mall Live Search
12:02 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

Bytyqi pret drejtorin e një kolegji në Iowa, flasin për bashkëpunim në programin e infermierisë

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur sot në takim presidentin e “Mercy College of Health Sciences” të IOWA–s, Dr. Dauglas Fiore, me të cilin ka biseduar rreth mundësive të bashkëpunimit në sektorin e arsimit, me theks të veçantë fushën e mjekësisë, konkretisht programit të infermierisë.

Statusi i plotë i ministrit Bytyqi:

Sot prita në takim presidentin e “Mercy College of Health Sciences” të IOWA–s, Dr. Dauglas Fiore, me të cilin bisedova rreth mundësive të bashkëpunimit në sektorin e arsimit, me theks të veçantë fushën e mjekësisë, konkretisht programit të infermierisë.

Dr. Fiore shfaqi gatishmërinë për të ofruar mbështetje për institucionet e arsimit në fushën e mjekësisë, me qëllim të aftësimit të të rinjve përmes programeve të ndryshme, por edhe të mbështetjes praktike në infermieri.

MAShT ka një bashkëpunim të frytshëm me universitetet dhe kolegjet amerikane dhe mirëpret edhe gatishmërinë e “Mercy College of Health Sciences” të IOWA-s për bashkëpunim dhe jemi të hapur për të gjitha opsionet mundshme të bashkëpunimit në interes të edukimit dhe arsimimit të të rinjve tanë me programe atraktive dhe të avancuara amerikane.

E njoftova Dr. Fiore, se për nevoja të tregut të punës, këtë vit janë hapur disa profile të reja të mjekësisë në shkollat e Kosovës dhe mbështetja e këtij kolegji amerikan në këtë segment do të ishte e mirëpritur dhe në kohë të duhur.

Gjithashtu, diskutuam edhe për mundësinë e ofrimit të bursave për studentët nga Kosova që të ndjekin programe studimi në fushën e mjekësisë në “Mercy College of Health Sciences” dhe për mobilitet të studentëve. Dr. Fiore tha se janë të gatshëm që të dërgojnë edhe një numër të konsiderueshëm të infermierëve për t’u angazhuar nëpër zonat rurale në Kosovë.

Në fund të këtij takimi, u dakorduam që ditëve në vazhdim të nënshkruhet një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin do të saktësohet fushëveprimi dhe bashkëpunimi reciprok mes MAShT dhe “Mercy College of Health Sciences” të IOWA-s.