14:40 / E Enjte, 25 Prill 2019 / indeksADMonline

Bytyqi: S’do të ketë më asnjë tekst shkollor që nuk i plotëson standardet

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka mbajtur sot një konferencë për tekstet e reja shkollore.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka publikuar fotografi nga konferenca, duke njoftuar se në treg nuk do të ketë më asnjë tekst që nuk i plotëson standardet, transmeton Indeksonline.

Ai ka shkruar se MAShT ka marrë të gjitha masat profesionale dhe logjistike që procesi të shkojë sa më mirë dhe mbarë, duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e procesit.

Më poshtë postimi i Bytyqit:

Në konferencën për media  lidhur me tekstet e reja shkollore  folëm për ecurinë e procesit në të dy fazat, të cilat janë zhvilluar në formë të Kampusit. Me këtë rast theksova vendosmërinë time që të mos ketë asnjë tekst që nuk i plotëson standardet.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje publike për recensentët e dorëshkrimeve edhe pse në bazë të ligjit, recenzentët mund të emërohen në mënyrë direkte dhe për këtë është formuar një komision profesional.

Të gjitha dorëshkrimet të cilat kanë qenë pjesë e këtij procesi kanë qenë të koduara dhe do të vazhdojnë të jenë deri në përfundim të procesit, ndërkaq tekstet e përzgjedhura fillimisht do të pilotohen.

Po ashtu bëra të ditur se, organizmi i kampuseve ku është bërë vlerësimi i dorëshkrimeve nuk ka tejkaluar planifikimin buxhetor dhe duke qenë se kemi shpenzuar shumë më pak se sa kemi planifikuar, kemi arritur të ruajmë  paranë  publike.

MAShT ka marrë të gjitha masat profesionale dhe logjistike që procesi të shkojë sa më mirë dhe mbarë, duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e procesit. /Indeksonline/