13:54 / E Shtunë, 28 Janar 2023 / Gj. Sh

Byzylyku që nxjerr Dani Alvesin nga burgu

Dani Alves po lufton së bashku me avokatët e tij që të dalë nga burgu Brians 2, ku po mbahet me akuzën e sulmit seksual. Avokati i tij i ri, Cristóbal Martorell, po përgatit një apel për të justifikuar se nuk ka rrezik arratisjeje. Ai do të kërkojë që të ndryshohet masa e sigurisë dhe t’i vihet byzylyku ​që kontrollon vendodhjen e të akuzuarit.

Në fakt, është një element që përdoret zakonisht në rastin e krimeve seksuale. Për këtë çështje ka folur pikërisht të mërkurën e kaluar delegatja e qeverisë kundër dhunës gjinore, Victoria Rosell. Magjistratja erdhi për të konfirmuar se pajisja po përdorej, por pa dhënë shifra.

Këto byzylykë kanë për qëllim të parandalojnë agresorët që t’u afrohen viktimave të tyre në më pak se distanca e përcaktuar. Në rastin e Dani Alvesit, do të bënte gjithashtu të mundur garantimin e qëndrimit të brazilianit në Spanjë.

Një nga shqetësimet kryesore të drejtësisë në Spanjë është mungesa e një traktati ekstradimi me Brazilin.

Pajisja lëshon sinjale GPS që kapen nga satelitët, që lejojnë të pasqyrohet pozicioni i saktë i individit në fjalë. Mund të përcaktohen madje disa pika ose vende për të parandaluar largimin.

Çfarë ndodh nëse hiqet byzylyku?

Heqja e byzylykut ose thyerja e tij mund të bëhet me thjeshtësi, por mund të ketë pasoja. Autoritetet do të merrnin menjëherë një njoftim dhe subjekti do të kryente një krim të dënueshëm me burg nga gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj.