Cakaj kërkon përgjegjshmëri në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka kërkuar nga liderët institucional që të sjellën në mënyrë të përgjegjshme, veçanërisht në këtë kohë kur Shqipëria është në proces të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Cakaj në një status në Facebook, për hapjen e Javës së Evropës, ka thënë se i takon muajit kur Shqipëria do të marrë rekomandimin pozitiv .
Sipas tij, për këtë proces gëzon një mbështetje të madhe nga të gjithë.
Postimi i plotë i Cakajt:
Hapja e Javës së Evropës në Shqipëri nuk do të thotë edhe fillim i Javës së Shqipërisë Evropiane. Karakteri evropian i Shqipërisë nuk vjen prej përcaktimeve kalendarike por nga përvoja historike, përmbajtja kulturore dhe kauza politike.
Java e Evropës këtë radhë i takon muajit që do t’i sjellë Shqipërisë rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Procesi i negocimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian është pothuajse edhe më i rëndësishëm se sa vetë akti i anëtarësimit: ai ofron një shtysë të re për transformim strukturor institucional dhe krijon premisa shtesë për reforma gjithëpërfshirëse socio-politike.
Procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim aktualisht gëzon mbështetjen e më shumë se 90% të shoqërisë shqiptare. Kjo mbështetje, është më e lartë se shuma e të gjitha partive politike të bëra bashkë apo e secilës prej tyre në veçanti. Prandaj, veçanërisht në këtë periudhë, sjellja e përgjegjshme politike dhe institucionale nuk është çështje e zgjedhjes personale por detyrim kombëtar për të gjithë. #EuropeWeek #Albania4EU /Indeksonline/