Cakaj kujton Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitinë
Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj ka kujtuar dy heronjët e Kosovës, Fahri Fazliun dhe Afrim Zhtinë, me rastin e 30 vjetorit nga rënia e tyre në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.
Cakaj theksoi se dy heronjët asnjëherë nuk e braktisën dashurinë për dijen, as ëndrrën për çlirimin e Kosovës.
“Ata ranë dëshmorë pas disa orësh luftime me pushkë në dorë dhe libër në xhep. Deri në frymën e fundit, ata punuan për Shqipërinë dhe vepruan në shërbim të interesave të kombit shqiptar”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:
Si sot, tri dekada më parë, më 2 nëntor të vitit 1989, dy studentë të rinj e aktivistë për çlirimin e Kosovës u vranë në ballafaqim me forcat pushtuese serbe në Bregun e Diellit në Prishtinë.
Afrim Zhitia, 24 vjeç dhe Fahri Fazliu 26 vjeç. Afrimi studionte filozofi në Universitetin e Prishtinës dhe adhuronte fort Hegelin. Fahriu, ndërkaq, studionte telekomunikacion në Zagreb të Kroacisë.
Të dy asnjëherë nuk e braktisën dashurinë për dijen, as ëndrrën për çlirimin e Kosovës. Ata ranë dëshmorë pas disa orësh luftime me pushkë në dorë dhe libër në xhep. Deri në frymën e fundit, ata punuan për Shqipërinë dhe vepruan në shërbim të interesave të kombit shqiptar.
Sot, duke kujtuar Afrimin e Fahriun kujtojmë shumë më shumë se dy dëshmorë të kombit shqiptar: sot, duke risjellë në mendje rrugëtimin historik për çlirimin e Kosovës realisht risjellim në mendje rëndësinë e aspiratës për thellim të marrëdhënieve brendakombëtare dhe domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë!
Motivi i një pune të nisur nga Afrimi e Fahriu tre dekada më parë duhet të na obligojë të gjithë për të menduar një trajtë më të thellë të bashkëpunimit mes Kosovës e Shqipërisë dhe unitetit kombëtar në përgjithësi ????!