Cakaj në SHBA, nënshkruan një memorandum të rëndësishëm për Shqipërinë në fushën e arsimit
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka vizituar Amerikën.
Ai së fundmi përmes një postimi të bërë në llogarinë Facebook ka dhënë një lajm të rëndësishëm për Shqipërinë.
Cakaj ka treguar se është nënshkruar Memorandumi i mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për zbatimin e programit të Fullbright në fushën e arsimit me asistent Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Arsimit dhe Kulturës, Marie Royce.
“Falë këtij memorandumi, duke filluar që në vjeshtën e këtij viti, qeveria shqiptare do të vendosë në dispozicion 150 mijë euro për të gjithë ata studentë ekselentë që do të përzgjidhen për të vijuar studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet programit Fullbright.
Ky buxhet do të jetë i përvitshëm dhe do të rrisë me disa herë kuotat e studimit të studentëve shqiptarë në universitetet më prestigjoze amerikane në programe shkencore që variojnë nga 3 muaj deri në 24 muaj”, ka shkruar Cakaj.
Kjo nismë sipas tij vjen në kuadër të paktit të Qeverisë shqiptare dhe angazhimit të saj maksimal për një vëmendje të shtuar ndaj studentëve, për të nxitur rritjen e cilësisë së arsimimit dhe inkurajuar rezultate sa më të larta në studimet universitare/Indeksonline/