Cakaj në takim me vendet e Vishegradit thekson rëndësinë e hapjes së negociatave për Shqipërinë
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka marrë pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me ata të grupit të Vishegardit.
Cakaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se mbështetja e vendeve të Vishegardit për politikat e zgjerimit të BE-së duhet të jetë në një Evropë më aktive për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Ai tha se hapja e negociatave është e domosdoshme për ruajtjen e besueshmërinë në procesin e zgjerimit.
Më poshtë statusin e plotë të Cakajt:
Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me Ministrat e Jashtëm të Grupit të Vishegradit nuk është vetëm shprehje e një Vishegradi më dinamik brenda Evropës.
Mbështetja e shtuar e vendeve të Vishegradit për politikat e zgjerimit të BE-së duhet të përkthehet në një Evropë më aktive për hapjen e negociatave për Shqipërinë sa më parë.
Në fakt, hapja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë do të duhej të ishte kurorëzuar zyrtarisht që vitin e shkuar.
Hapja e negociatave për Shqipërinë në këtë moment, ndërkaq, është e domosdoshme për ta ruajtur besueshmërinë e procesit të zgjerimit në përgjithësi dhe thelluar kursin reformave radikale të saj në veçanti.
Tani është momenti kritik që vlerësimi pozitiv teknik i Komisionit të shndërrohet në vullnet politik të Këshillit.