14:06 / E Enjte, 14 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Cakaj: Në UNESCO theksova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në Sesionin e 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s,  u takua edhe me Drejtoreshën e Përgjithshme të kësaj organizate, Audrey Azoulay.

Me këtë rast, Cakaj ka thënë se anëtarësimi i Republikës së Kosovës do të përforcojë vlerat që përfaqëson UNESCO, nga edukimi deri te trashëgimia kulturore, shkruan Indeksonline.

Po ashtu ai ka thënë se Kosova sot është shembull rajonal në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe trashëgimisë kulturore përgjithësisht.

“Gjatë pjesëmarrjes në Sesionin e 40-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, pata një takim edhe me Drejtoreshën e Përgjithshme të kësaj organizate, znj. Audrey Azoulay ?!

Në takim diskutuam për rëndësinë e edukimit në zhbërjen e sjelljeve përjashtuese dhe ekstremiste, si dhe rëndësinë e patjetërsueshme të dialogut multikulturor. Po ashtu, shprehëm gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit gjatë Kryesisë së OSBE-së 2020, veçanërisht në fushën e promovimit të lirive themelore, politikave anti-diskriminuese dhe dialogut të hapur shoqëror në përgjithësi.

Në fund, natyrisht, theksova rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO. Kosova sot është shembull rajonal në mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe trashëgimisë kulturore përgjithësisht”, ka shkruar ai./Indeksonline/