Cakaj: Serbia nuk mund të zhbëjë krimet makabre në Kosovë

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook ka kujtuar e nderuar çdo viktimë të pafajshme të praktikave gjenocidiale në botë, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit.
“Sot kujtojmë veçanërisht viktimat e gjenocidit të ushtruar mbi popullin shqiptar të Kosovës nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë”, u shpreh Cakaj.
Sipas Cakajt, fatkeqësisht Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje ende, për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, por vazhdon të mbajë të fshehur fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit.
“Në një ditë si kjo, vlen të theksohet se asnjë strategji e relativizimit dhe asnjë politikë e mohimit, që sot mjerisht mbizotëron në Serbi, nuk mund të ndryshojë të vërtetën e luftës së fundit dhe as t’i zhbëjë krimet makabre të kryera nga Serbia në Kosovë”, theksoi ministri në detyrë Cakaj.
Ai tha se përkushtimi për një të ardhme paqësore nuk nënkupton edhe harresën e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Sipas tij, nderimi i viktimave, kërkim-falja nga Serbia dhe zbardhja e plotë e së vërtetës së luftës së fundit në Kosovë është parakusht për pajtim dhe paqe të qëndrueshme.