75 Mall Live Search
13:13 / E Martë, 26 Mars 2019 / indeksADMonline

Cakaj shkarkon një pjesë të administratës: Shqipëria s’është vend i miqve e krushqive!

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj ka mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme, në të cilën ka bërë të ditur se ka shkarkuar nga puna një pjesë të administratës.

Ai ka theksuar se ambicia për një shërbim ekselent e ka karakterizuar përpjekjen e zellshme të ministrisë për pesë vitet e fundit, raporton Indeksonline.

Sipas itj, jetësimi i kësaj ambicie mbete ende një sfidë e hapur për Shqipërinë.

“Në këto 77 ditët e punës sime në krye të këtij institucioni kam mbledhur një grup të posaçëm për të parë hollësisht cilësinë e burimeve njerëzore të shërbimit diplomatik të shtetit shqiptar. Sot ndaj me ju faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore dhe as minimale profesionale për të kryer detyrën dhe lëre më vizionin e kryeministrit Rama për ta cuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Po ashtu një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen menjëherë për të vepruar sipsa nevojave reale të punës dhe jo inercionit të së shkuar”, ka thënë Cakaj.

“Numri i të prekurve nga kjo iniciativë do të shkoj mbi 20. Dua të jem i sinqertë me ju gjatë gjithë kryerjes së detyrës e kjo nënkupton komunikimin e drejtpërdrejt. Agjenda jonë reformiste nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientelizmin politik dhe korrupsionin në asnjë sektor, e lërë më në përfaqësimin e Shqipërisë nëpër botë”, ka theksuar Cakaj.

Ai ka përsëritur se Shqipëria nuk është e miqve, e kushërinjve politikë, apo klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por e të gjithëve dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit që punojnë me mendje e shpirt.

“Ftoj të gjithë të interesuarit që të aplikojnë në pozita të ndryshme. Aplikacionet e tyre do të trajtohen me transparencë të plotë dhe gjykimi do jetë vetëm mbi bazën e meritës”, ka përfunduar Cakaj. /Indeksonline/