75 Mall Live Search
21:47 / E Diele, 07 Prill 2019 / indeksADMonline

Cakaj: Shqipëria dikur vendi më i izoluar në Europë, sot kontribuuese aktive në NATO

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj është duke qëndruar në Washington me rastin e shënimit të 70 vjetorit të themelimit të NATO-s.

Me këtë rast, Cakaj ka deklaruar se ministeriali i NATO-s në Washington kësaj radhe nuk ishte vetëm afrimi i unitetit të brendshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, por ishte edhe moment reflektimi për përpjekjen në shërbim të vlerave të demokracisë.

Tutje Cakaj ka theksuar se Shqipëria sot është kontribuuese aktive në NATO me angazhime të veçanta (mes tjerash) në Kosovë, Afganistan, Letoni dhe Detin Egje, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Ministeriali i NATO-s në Washington kësaj radhe nuk ishte vetëm afirmim i unitetit të brendshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Shënimi simbolik i 70 vjetorit të themelimit të NATO-s ishte edhe moment reflektimi për përpjekjen shumëdekadëshe të kësaj ndërmarrje në shërbim të vlerave themeltare të demokracisë përballë kërcënimeve të tiranisë komuniste. Për më shumë, duke qenë se ky ministerial përkoi edhe me 10 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ai ishte edhe një tregues i fuqishëm i transformimit rrënjësor institucional të Shqipërisë ndër vite dhe dëshmi e kursit të saj të patjetërsueshëm euroatlantik. Shqipëria sot është kontribuese aktive në NATO me angazhime të veçanta (mes tjerash) në Kosovë, Afganistan, Letoni dhe Detin Egje. Dikur vendi më i izoluar në Europë, Shqipëria tashmë është kthyer në një kontribut-dhënëse përmbajtësore në sigurinë botërore dhe mbështetëse e pakursyer e vlerave euroatlantike. Krenar që jemi NATO! #WeAreNATO