75 Mall Live Search
10:12 / E Enjte, 30 Maj 2019 / indeksADMonline

Cakaj: Shqipëria rast shembullor i transformimit të drejtësisë

Një ditë pas rekomandimit pozitiv për hapjen e negociatave, ministri i Jashtëm i Shqipërisë në detyrë, Gent Cakaj në një konferencë për shtyp veçoi se Shqipëria është një rast shembullor në rajon që ka plotësuar kushtet ku theksin e vuri tek reforma në Drejtësi.

“Shqipëria është një rast shembullor i transformimit të drejtësisë. Raporti i Komisionit Europian veçon Shqipërinë nga gjithë rajoni.

Shqipëria ka ngritur dhe institucionet e reja gjyqësore. Raporti i Komisioni Europian konfirmon përpjekjen e fuqishme të qeverisë për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe korrupsionin”, u shpreh ai.

Cakaj gjithashtu tha se Shqipëria ka treguar të gjithë përkushtimin për çeljen e negociatave.

“Komisioni ka thënë të vërtetën për Shqipërinë. Raporti i ri nuk është raporti i vjetër. Raporti i ri është dëshmia e sukseseve të reja. Në vend të polemikave ka ardhur koha e komunikimit aktiv me vendet anëtare.
Vetë komisoni konstatoi se parlamenti i Shqipërisë është funksional. Ky raport ka një mesazh për opozitën dhe kushdo që ka vullnetin e majftueshëm e kupton këtë, pra opozita duhet të ripërfshihet. Komisioni thotë se duhen kapërcyer pengesat për të ardhmen evropiane.

KE ka thënë që reforma politike, elektorale është cënuar, nga sjellja e opozitës, ky raport dëshmon se kriteret teknike janë përmbushur nga qeveria.
Raporti i KE është dëshmi se qeveria ka menaxhuar situatën me sukses përkundër sjelljeve të opozitës”, tha Cakaj.

Ministri foli edhe për marrëveshjen e detit me Greqinë: “Maqedonia e Veriut ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Politika jonë rajonale duhet të mbështet në politikën 0 konflikte me fqinjët, po kjo nuk do të thotë të jesh në indiferent. Zgjidhja e kontesteve bilaterale është kusht për të përparuar në agjendën evropiane.

Maqedonia e Veriut ka bërë hap historik në këtë drejtim me Greqinë. Për Shqipërinë marrëveshja finale me Greqinë s’ka qenë kusht për negociatat dhe unë konfirmoj se Greqia na ka mbështetur për rrugën tonë në BE, s’ka imponuar pra asnjë kusht”, tha ministri.