75 Mall Live Search
11:26 / E Hënë, 30 Shtator 2019 / indeksADMonline

Cakaj takon Gremingerin: Shqipëria, e gatshme për për të marrë Kryesinë e OSBE-së, më 2020

Në kuadër të mbledhjeve të shumta në New York, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka takuar edhe njëherë sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger.

“Në takim diskutuam veçanërisht për gamën e përgatitjeve teknike dhe politike të Shqipërisë për të marrë Kryesinë e OSBE-së më 2020.

Gjykuar nga këndvështrimi organizativ, Shqipëria është duke kryer të gjitha detyrat e nevojshme nëpërmes Task Forcës së ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Misionin e saj në Vienë, në bashkërendim të plotë me vendet pjesëmarrëse.

Po ashtu, krahas ndihmës së madhe të asistencës ndërkombëtare që i është bashkangjitur skuadrës shqiptare, diplomatët shqiptarë të angazhuar në çështjet e OSBE-së i janë nënshtruar ushtrimeve të veçanta.”, ka shkruar Cakaj, në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se gjykuar nga këndvështrimi politik, Shqipëria ka paraqitur prioritetet fillestare të Kryesisë së saj që shtrihen në të gjitha dimensionet e angazhimeve të OSBE-së, ushtarake-politike, ekonomiko-mjedisore dhe të drejtat themelore të njeriut.

“Po ashtu, si kryesuese e tashme e Grupit të Mesdheut, Shqipëria është duke përmbyllur të gjitha detyrimet e saj për të pasur një konferencë dinjitoze në muajin tetor në Tiranë”, përfundon ministri Cakaj njoftimin e tij për këtë takim./Indeksonline/