75 Mall Live Search
20:02 / E Martë, 12 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Cakaj takohet me Vasfije Krasniqin: Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj të martën është takuar me të mbijetuarën e luftës 99’, Vasfije Krasniqin-Goodman dhe drejtorin e organizatës joqeveritare “Drejtësi për të Gjithë”, Nafi Krasniqi, shkruan Indeksonline.

Cakaj ka thënë se Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike.

“Në një takim shumë miqësor dhe përmbajtësor u njoha hollësisht me angazhimin e tyre në shërbim të kauzës madhore të zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë dhe promovimin e vlerave dhe lirive themelore në përgjithësi.

Pajtohem plotësisht me pikëpamjen e tyre Serbia ka dështuar në adresimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe gjenocidit në mënyrë të qëllimshme dhe për arsye politike. Vendosja e drejtësisë së plotë dhe procesi i pajtimit të qëndrueshëm përbëjnë interes jetik për rajonin në tërësi”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm u shpreh se do ta mbështesë këtë kauzën në vazhdimësi dhe në mënyrë sistematike, sikundër Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pakursyer Republikën e Kosovës

“Puna në funksion të kësaj kauze na detyron të gjithëve së bashku në përgjithësi dhe secilin prej nesh në veçanti. Mbetem tejet i frymëzuar nga kurajo e tyre për të rrëfyer të vërtetën pavarësisht pasojave dhe për të punuar përmbajtësisht në shërbim të drejtësisë si faktor thelbësor i pajtimit.

Ndaj, do ta mbështesë këtë kauzë në vazhdimësi dhe në mënyrë sistematike, sikundër Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë pakursyer Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”,përfundoi ai./Indeksonline/