75 Mall Live Search
20:19 / E Enjte, 26 Shtator 2019 / indeksADMonline

Cakaj takon Palmer: SHBA referenca e patjetërsueshme politike e diplomatike e Shqipërisë

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit amerikan dhe të Ngarkuarin Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në fokus të takimit ishin çështje që lidhen me situatën e brendshme në Shqipëri, zhvillimet e fundit në rajon dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të organizatave shumëpalëshe.

“Lidhur me situatën e brendshme në Shqipëri bashkërisht nënvizuam nevojën për të pasur një dialog gjithëpërfshirës për reformën elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODHIR. Kjo është thelbësore për të përmirësuar edhe më tutje cilësinë e sistemit elektoral dhe, rrjedhimisht, demokracinë në Shqipëri në përgjithësi,” tha ministri Cakaj në një reagim në Facebook.

Sa i përket çështjeve rajonale ministri Cakaj u shpreh se pas marrëveshjes së Prespës, çështja themelore në rajon është arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja duhet të përfundojë me njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë,” tha Cakaj.

Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu, në bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së, si një angazhim të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit shumëpalësh.    

“SHBA janë referenca e patjetërsueshme politike e diplomatike e Shqipërisë,” tha Cakaj./tch