21:42 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Cakaj thotë se nuk ka çështje të hapura me Haradinajn, por që nuk rri i heshtur karshi fakteve kokëforta

Ministri i Jashtëm i  Shqipërisë, Gent Cakaj është deklaruar lidhur me akuzat që ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i pati bërë në drejtim të tij, kinse i njëjti ka lobuar për shkëmbim territoresh.

Cakaj tha se ai asnjëherë nuk ka lobuar për ide të tilla.

“Unë nuk e kam mbështetur politikisht e as publikisht atë ide (shkëmbimin e territoreve). Më shqetëson fakti se politikanët e Kosovës, përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve po i fshehin duke akuzuar Tiranën zyrtare. Ata po  bëjnë mbulesë të përgjegjësive të tyre qeveritare me akuza ndaj Tiranës zyrtare”, tha ai.

Cakaj madje tha se Shqipëria nuk mund t’i ndryshojë kufijtë e Kosovës pasi nuk është në tavolinën e negociatave.

“Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë që ndryshimet e mundshme të kufijve mund të kalojnë vetëm përmes ratifikimit në Kuvend”, tha Cakaj në Dukagjin.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj shtoi se Haradinaj nuk ka asnjë çështje të hapur dhe se do të ruaj raportet zyrtare me Kosovën.

“Por natyrisht karshi fakteve kokëforta, nuk mund të qëndrojë i heshtur”, deklaroi më tej Cakaj./Indeksonline/