09:22 / E Shtunë, 07 Dhjetor 2019

Cakaj: Vuçic, Goebbels-i i Millosheviçit

Pas mohimit të masakrës të Reçakut nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, menjëherë ka ardhur edhe reagimi nga Ministri i Jashtëm në Detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj.

Ai një postim në Twitter, Cakaj e ka cilësuar Presidentin e Serbisë si Joseph Goebbels-in e Millosheviçit. Për më shumë, ai iu ka bërë thirrje autoriteteve ndërkombëtare për të reguar ndaj përpjekjeve për shtrembërim të vërtetës, sulmeve dhe ofendimeve ndaj viktimave dhe veprimeve kundër pajtimit e normalizimit të marrëdhënieve.

Cakaj e ka krahasuar Vuçiç-in me Goebbels-in duke pasur parasysh faktin se Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit i Sllobodan Millosheviçit gjatë kohës ë luftës në Kosovë, përkatësisht, nga viti 1998 deri në vitin 2000. Joseph Goebbels-i, ndërkaq, ka qenë Ministër i Propagandës i Adolf Hitlerit nga viti 1933 deri në 1945.

Ai ka qenë një prej bashkëpuntorëve të ngushtë të Hitlerit dhe i ka shërbyer shtrembërimit të vërtetës dhe mohimit të krimeve në përgjithësi. Me këtë krahasim, pra, Cakaj kujton të kaluarën fashiste të Serbisë dhe thekson talentin e Vuçicit në propagandë dhe manipulim.

Përkundër këtyre përpjekjeve, masakra e Reçakut e janarit 1999 nuk do të harrohet asnjëherë, përfundon Cakaj.