23:18 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / SH F

Cakolli: Dardan Sejdiu i preferuari i Uran Ismailit për nënkryetar të Prishtinës

Dardan Sejdiu për disa vite ishte aktiv në Vetëvendosje e më pas në PSD. Ai mbajti pozita të rëndësishme në Kuvend e Komunë të Prishtinës, por prej disa vitesh ai nuk është aktiv në politikë.

Ish-nënkryetari i Prishtinës u shqyrtua nga PDK-ja për t’u rikthyer në këtë pozitë pasi PDK ka një marrëveshje me LDK-në në kryeqytet.

Një propozim të tillë sipas anëtarit të Kryesisë së PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli e kishte bërë vet kryetari i degës Uran Ismaili, por Cakolli tregon pse ai personalisht e kundërshtojnë një propozim të tillë.

“Qytetarët e Prishtinë janë dëshmitarë se qeverisje 8-vjeçare e drejtuar nga Spend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu është sinonim i dështimit, degradimit dhe shkatërrimit të kryeqytetit. Tash të tentohet që njëri prej eksponentëve kryesor të asaj qeverisje dështuese  të instalohet si përfaqësues i PDK-së është skandaloze dhe e papranueshme”, deklaroi Cakolli për RTV Dukagjinin.

“Definitive nuk ka asgjë, por ka individë brenda PDK-së duke filluar prej kryetarit të Degës në Prishtinë që kanë dhënë indikacione se Dardan Sejdiu është i preferuar për nënkryetar të Prishtinës”, deklaroi ai.

Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Arben Gecaj, thotë se prurjet e reja në PDK janë të mirëseardhura por sipas tij ata duhet të jenë figura të pastërta në raport me paranë publike.

Mirëpo vet Sejdiu e ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

“Tash e sa ditë emri im është përfol për Nënkryetar të Prishtinës. Si propozim i mundshëm do të më nderonte duke e marrë parasysh dashninë që e kam për qytetin dhe punën që e kam bërë në të kaluarën në komunë. Por, unë nuk do të jem nënkryetar i Prishtinës”, shkroi ai.