75 Mall Live Search
16:12 / E Diele, 14 Shtator 2025 / Z S

Cakoll- Haxhiut: Në vend që të akuzoni, keni edhe 24 orë afat që të ndjekni procedurat ligjore ndaj Listës Serbe

Eugen Cakolli, KDI, i ka reaguar ministrës në detyrë Albulena Haxhiu pas deklaratës së saj se shoqëria civile po qëndron e heshtur ndaj fushatës së Listës Serbe.

Ai kërkoi që ky rast të adresohej në PZAP, duke shtuar se Lista Serbe duhet të distancohet publikisht nga përdorimi i këtij emri ose të përballet me gjoba.

Postimi i plotë:

Po, fushatat e Listës Serbe pothuajse gjithmonë janë ndërtuar mbi retorikë nxitëse dhe gjuhë fyese ndaj institucioneve të Kosovës.

Kjo qasje provokuese u pa qartë edhe në hapjen e fushatës së tyre, ku u shfaq një baner me emrin e kryeterroristit Milan (Radoiçiq), i kamufluar në atë mënyrë që më pas të thuhet se ishte fjala për kandidatin e LS-së për kryetar komune – i cili mban të njëjtin emër.

Kjo çështje mund dhe duhet të adresohet në PZAP. Atje, Lista Serbe ose do të detyrohet të distancohet publikisht nga emri i Radoiçiqit, duke e lidhur qartë përdorimin e emrit “Milan” me kandidatin e tyre, ose do të gjobitet rëndë. Ose edhe të dyja bashkë.

Veçse, për ta fituar këtë rast – ligjërisht dhe politikisht – përfaqësuesit e partisë në pushtet, në vend që të akuzojnë shoqërinë civile për “mosreagim”, duhet të ndjekin procedurat ligjore të ankesës. Për këtë u kanë mbetur edhe ~24 orë të afatit ligjor.