Cakolli: Mbajtja e zgjedhjeve në dhjetor është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Moszgjedhja e Qeverisë për herë të dytë, bën që të hapet rruga drejt zgjedhjeve të reja.
Lidhur me këtë situatë ka ardhur reagimi edhe nga ana e Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Sipas Cakollit, sa më shumë që Presidentja e vonon shpalljen e datës së zgjedhjeve, aq më shumë rritet rreziku për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm.
Më tutje ai thotë se mbatja e zgjedhjeve në dhjetor është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja
Postimi i plotë:
Sa më shumë që Presidentja e vonon shpalljen e datës së zgjedhjeve, aq më shumë rritet rreziku për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm. Çdo ditë e humbur sot i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe e afron vendin me skenarë të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal.
Sipas afateve aktuale – edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht konsistentë në mënyrën se si përcaktojnë dhe përllogarisin afatet – datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme mbeten 21 dhe 28 dhjetori.
Por nëse konsultimet dhe vendimmarrja përkatëse e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, edhe 21 dhjetori bie si opsion, duke i shtyrë zgjedhjet potencialisht drejt janarit. E zgjedhjet në janar përbëjnë rrezik shumëfish më të madh, sepse nëse ato nuk mbahen brenda këtij viti, zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo edhe për shkurt.
Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve në dhjetor, madje sa më herët që të jetë e mundur, është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja dhe për të zvogëluar presionin kohor për formimin e institucioneve, të cilat duhet të përmbyllen patjetër në ditët e para të marsit. Sa më shumë të vonohet shpallja e datës, aq më afër skajit të afateve kushtetuese shtyhet vendi, me të gjitha rreziqet që i sjell një skenar i tillë.

