75 Mall Live Search
17:57 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / Z S

Cakolli: Ndarja e 100 eurove për studentë, keqpërdorim elektoral i parasë publike

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se ndarja e 100 eurove për studentë pesë ditë para zgjedhjeve lokale, sipas tij, është vijimësi e skemës së keqpërdorimit të parasë publike si instrument elektoral.

Tutje, përmes një postimi në Facebook, Cakolli thotë nëse qëllimi do të ishte mbështetja e studentëve, ajo ndihmë do të ishte dhënë më 15 shtator, atëherë kur dhe ka nisur viti akademik.

Postimi i plotë:

Ndarja e 100 eurove për studentë pesë ditë para zgjedhjeve lokale, dhe ekzekutimi i këtyre mjeteve sot, tri ditë para balotazhit – është vijimësi e skemës së keqpërdorimit të parasë publike si instrument elektoral.

Tek e fundit, viti akademik ka filluar më 15 shtator, gati dy muaj më parë. Nëse qëllimi do të ishte mbështetja e studentëve, ajo ndihmë do të ishte dhënë atëherë, jo tani. Edhe pse, për një qeveri në detyrë, s’do të ishte e ligjshme as atëherë.

E ajo që e bën situatën edhe më problematike është normalizimi i shkeljeve të ligjit, nën arsyetimin se “është në të mirë të qytetarëve [studentëve, shërbyesve publik, kategorive sociale, a kujtdo tjetër]”. Kur shkeljet ligjore kalojnë pa reagim, ato shndërrohen në praktikë – dhe pastaj mbase nuk reagon më askush./Indeksonline/