75 Mall Live Search
07:41 / E Mërkurë, 17 Qershor 2026 / MSH1

Cakolli: Ndarja e mandateve pothuajse çështje e kryer

Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka vlerësuar se ndarja përfundimtare e mandateve në Kuvend me raportin 53-22-18-7 tashmë është pothuajse e vendosur.

Sipas tij, se votat e mbetura nuk pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme, transmeton IndeksOnline.

Cakolli pohon se as kutitë e mbetura të votave me postë dhe as 11,895 votat me kusht, së bashku me votat e personave me nevoja të veçanta që do të numërohen nesër, nuk pritet ta ndryshojnë ndarjen aktuale të mandateve, përveç në rast se shfaqen devijime të pazakonta nga trendet e deritanishme të votimit.

“Historikisht, votat me kusht kanë ndjekur më shumë trendin e vendvotimeve të rregullta, me dallime relativisht të vogla. Prandaj, përveç nëse rezultati i këtyre votave i afrohet dukshëm trendit të votave me postë, LVV nuk pritet të arrijë në 54 mandate” shkroi Cakolli, në Facebook.

Ky është postimi i plotë i tij:

Situata përfundimtare me ndarjen e mandateve 53-22-18-7 tashmë është pothuajse çështje e kryer.

As kutitë e mbetura të votave me postë, e as 11,895 votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta që do të numërohen nesër, nuk pritet ta ndryshojnë ndarjen e mandateve – përveç nëse prodhojnë ndonjë devijim krejt të pazakontë nga trendet e deritanishme.

Historikisht, votat me kusht kanë ndjekur më shumë trendin e vendvotimeve të rregullta, me dallime relativisht të vogla. Prandaj, përveç nëse rezultati i këtyre votave i afrohet dukshëm trendit të votave me postë, LVV nuk pritet të arrijë në 54 mandate.

Në anën tjetër, pas performancës dukshëm më të dobët në kutitë e fundit të votave me postë, LDK-ja e ka tejet të vështirë të rikthehet në 19 mandate, duke ia marrë një mandat PDK-së (mundësia e vetme). Për këtë, LDK-ja jo vetëm që do të duhej ta kalonte PDK-në në renditjen sipas votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, por do të duhej ta bënte këtë me një dallim prej disa qindra votash.