Cakolli nga KDI-ja bën përmbledhjen e rezultateve të zgjedhjeve lokale, kush humbi e kush fitoi?

Hulumtues i lartë në KDI, Eugen Canolli ka bërë një përmbledhje të rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve lokale. Ai ka thënë se nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LVV-ja me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK-ja me rreth 24%.
Postimi i plotë:
Zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake. Më poshtë janë përmbledhjet e përgjithshme dhe për secilën parti. Sidoqoftë, sipas rezultateve të deritashme, balotazhi do të jetë edhe më interesant.
Nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LVV-ja me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK-ja me rreth 24%.
• LVV-ja fituar pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); është e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë-Kosovë); dhe është e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri).
– Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV-ja ka bërë përparim të dukshëm. Nga asnjë komunë e fituar pa balotazh atëherë, këtë herë ka 3 fitore, ndonëse numri i komunave ku del e para ka rënë nga 5 në 2. Në të njëjtën kohë, numri i renditjeve të dyta është rritur – nga 8 në 10.
• LDK-ja ka fituar pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); është e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); dhe është e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë-Kosovë, Suharekë).
– LDK-ja ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021. Numri i komunave të fituara pa balotazh mbetet i pandryshuar (2), ndërsa ato ku del e para në balotazh janë rritur nga 5 në 6. Ndërkaq, renditjet e dyta kanë rënë nga 4 në 3.
• PDK-ja ka fituar pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); dhe është e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë).
– PDK-ja ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 4 në 3, komunat ku del e para nga 6 në 4, ndërsa renditjet e dyta nga 4 në 2.
• AAK-ja ka fituar pa balotazh në 1 komunë (Deçan); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); dhe është e dyta në 1 komunë (Junik).
– AAK-ja mbetet në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 2 në 1, ndërsa numri i komunave ku del e para mbetet i pandryshuar (4). Edhe renditjet e dyta janë të njëjta (1 komunë).