75 Mall Live Search
16:08 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / B XH

Cakolli: Pa verifikim të fletëvotimeve, KQZ-ja s’mund të flas për integritet të paprekur të zgjedhjeve

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit për fletëvotimet në Mitrovicë, duke thënë se çdo fletëvotim me kod të papërputhshëm duhet shpallur i pavlefshëm.

Ai ka theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me gabimin teknik, por me përmasat e tij dhe ndikimin në rezultat. Sipas Cakollit, mungesa e informacioneve zyrtare nga KQZ-ja dhe bartja e përgjegjësisë te kompania CETIS e bëjnë rastin edhe më problematik.

Ai ka vënë në dyshim garancinë për integritetin e procesit, pasi shumica e vendvotimeve në Mitrovicë ende nuk janë procesuar.

Cakolli ka shtuar se kufizimi i problemit në “gabim teknik” në këtë fazë është spekulim.

Postimi i plotë:

Pikë së pari, çdo fletëvotim të cilit nuk i përputhet kodi i vendvotimit me atë ku është votuar, duhet të shpallet i pavlefshëm. Por edhe kjo, në vetvete, nuk garanton se problemi është adresuar në tërësi. Sepse thelbi nuk është vetëm gabimi teknik, por përmasat e tij – pra, sa fletëvotime janë prekur, në cilat vendvotime, dhe a ka pasur ndikim në rezultat. Pa këtë informacion, askush – e sidomos KQZ-ja – s’mund të flasë për integritet të paprekur të zgjedhjeve.

“Sqarimet” e CETIS-it dhe KQZ-së, e bëjnë rastin më të çuditshëm sa më shumë që i lexon. Sepse, mungesa e çfarëdo informate zyrtare nga KQZ-ja mbi shtrirjen reale të problemit, dhe bartja e tërë përgjegjësisë te kompania CETIS, që më shumë krijoi konfuzion sesa sqaroi me deklaratën e saj, është në vetvete tejet problematike.

Nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, si mund të garantohet integriteti, kur ende rreth 75% e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht?

Çdo deklaratë që e kufizon problemin tek “gabimi teknik” është, në këtë fazë, thjesht spekulim. E në një proces zgjedhor, s’ka më keq se kur një “gabim teknik” trajtohet si rrezik politik që duhet menaxhuar disi, në vend se si problem që duhet hetuar deri në fund.