75 Mall Live Search
18:51 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / MSH

Cakolli thotë se propozimi i Konjufcës për kryeministër është hapi i parë i një procesi të gjatë

“Propozimi i Glauk Konjufcës nga LVV-ja, është vetëm hapi i parë në një proces më të gjatë.”

Kështu vlerëson Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, shkruan IndeksOnline.

Përmes një postimi në Facebook, Cakolli ka vlerësuar zgjedhjen e LVV-së për të dërguar Konjufcën si mandator të dytë për formim të qeverisë.

Ai vlerëson se gjasat për formim të qeverisë duhet të jenë të matshme dhe të verifikueshme.

“Propozimi i Glauk Konjufcës nga LVV është vetëm hapi i parë në një proces më të gjatë, jo një akt kushtetues në vetvete. “Gjasat për formim të qeverisë” duhet të jenë të matshme dhe të verifikueshme. Çdo veprim pa prova reale do të ishte i diskutueshëm dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për të ardhmen – ku dy parti, mbase edhe me numër të njëjtë të deputetëve, do të mund të pretendonin njësoj se kanë shumicën, dhe vendimi i Presidentes do të mbetej në terren subjektiv.

Po ashtu, nuk mund të anashkalohet e as të injorohet fakti politik dhe juridik – se gjatë konsultimeve, shumica absolute e partive parlamentare janë shprehur hapur kundër formimit të një qeverie të re në këtë legjislaturë. Në këtë situatë, barra e provës bie mbi LVV-në, e cila duhet të dëshmojë në mënyrë objektive se i ka të paktën 61 vota” u shpreh Cakolli.