75 Mall Live Search
21:02 / E Hënë, 01 Dhjetor 2025 / B XH

Cakolli: Votimi jashtë përfaqësive diplomatike bëhet me bazë ligjore e arsye praktike, ne nuk i kemi asnjërën

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar pas një postimi të ministrit në detyrë Hekuran Murati, i cili pretendoi se Rumania, “në zgjedhjet e sivjeme për postin e presidentit, kishte organizuar 965 vendvotime jashtë shtetit, për t’ia mundësuar diasporës që t’i kenë sa më afër vendvotimet dhe ta kenë sa më të lehtë për të votuar”.

Mirëpo sipas Cakollit, krijimi i qendrave shtesë të votimit atje është i rregulluar me ligj.

Cakolli shton se “zgjerimi i rrjetit të qendrave të votimit jashtë vendit ka ardhur pas problemeve reale, me shumë qytetarë që s’kanë arritur të votojnë për shkak të radhëve shumë të gjata dhe kapaciteteve të pamjaftueshme.

Në atë kontekst, shteti rumun ka miratuar një paketë ligjore për t’u siguruar që diaspora të mos mbetet pa votuar – përfshirë edhe votimin disa-ditor. Pra, nevoja ka qenë faktike, ligji ka qenë specifik, dhe procedurat kanë qenë të detajuara”.

Postimi i tij i plotë:

Është e vërtetë që shumica dërrmuese e vendeve të BE-së mundësojnë ndonjë mënyrë të votimit nga jashtë vendit, ndonëse vetëm një pjesë e lejon votimin fizik. Por, secili prej këtyre vendeve e ka rregulluar qartë në ligj se si, ku dhe në çfarë kushtesh organizohet votimi i diasporës. Nuk ka improvizime dhe nuk hapet asnjë qendër pa bazë ligjore.

Në Rumani, si rast i përmendur së fundi, krijimi i qendrave shtesë të votimit është i rregulluar me ligj (Ligji 208/2015, neni 23), që e përcakton në detaje se si mund të hapen qendra të reja jashtë misioneve diplomatike, kush e jep pëlqimin, cilat institucione vendosin, çfarë kushtesh duhen plotësuar, dhe në cilat raste mund të zgjerohet rrjeti i votimit jashtë vendit.

E atje, zgjerimi i rrjetit të qendrave të votimit jashtë vendit ka ardhur pas problemeve reale, me shumë qytetarë që s’kanë arritur të votojnë për shkak të radhëve shumë të gjata dhe kapaciteteve të pamjaftueshme. Në atë kontekst, shteti rumun ka miratuar një paketë ligjore për t’u siguruar që diaspora të mos mbetet pa votuar – përfshirë edhe votimin disa-ditor. Pra, nevoja ka qenë faktike, ligji ka qenë specifik, dhe procedurat kanë qenë të detajuara.

Në Kosovë nuk ekziston as rregullimi, as nevoja për qendra alternative jashtë vendit. Ligji ynë e kufizon qartësisht votimin fizik jashtë vendit vetëm në hapësirat e përfaqësive diplomatike, dhe zgjedhjet e 9 shkurtit treguan se kapacitetet ekzistuese nuk u afruan asnjëherë në pikën e mbingarkesës.

Prandaj krahasimi me Rumaninë nuk qëndron. Ata kanë bazë ligjore dhe arsye praktike. Ne nuk kemi as njërën, as tjetrën.