75 Mall Live Search
20:39 / E Diele, 22 Shkurt 2026 / F.R

Cakolli: Zgjedhja e Presidentit është proces i Kuvendit, jo i Qeverisë

Eugen Cakolli ka reaguar lidhur me zhvillimet për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se ky është një proces ekskluzivisht parlamentar dhe jo kompetencë e Qeverisë.

Sipas tij, është “pak e çuditshme” që takimet për këtë temë po mbahen në zyrën e Kryeministrit, duke krijuar përshtypjen sikur bëhet fjalë për një proces të ekzekutivit, transmeton IndeksOnline.

“Zgjedhja e Presidentit është punë e Kuvendit. Takimet për çështjen e Presidentit duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, sepse ky është proces parlamentar dhe kërkon marrëveshje politike mes forcave parlamentare”, ka theksuar Cakolli.

Ai ka shtuar se në këtë rast nuk bëhet fjalë për raport Kryeministër-opozitë, e aq më pak për raport Kryeministër-deputetë, por për një proces që kërkon konsensus të gjerë politik në Kuvend.

Cakolli ka rikujtuar se për zgjedhjen e Presidentit nevojitet shumicë prej dy të tretash (2/3) në të paktën dy raundet e para të votimit, çka e bën arritjen e marrëveshjes politike thelbësore.

Sipas tij, afati është i qartë: më së largu deri më 5 mars duhet të arrihet marrëveshja dhe të votohet me sukses Presidenti. Në të kundërtën, vendi rrezikon të hyjë në një situatë të shkeljes kushtetuese, e cila praktikisht do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Reagimi i tij vjen pas takimit të sotëm të Albin Kurtit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, takim ky që i parapriu atij të nesërmit me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku./IndeksOnline/