14:34 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / Blerim

Caktohet ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit

Këshilli Prokurorial i Kosovës, i drejtuar nga kryesuesi Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 190-të, nën masat e mbrojtjes nga pandemia dhe përmes komunikimit në distancë.

Takimi i sotëm ka nisur me prezantimin e listës me emrat e prokurorëve që kanë aplikuar për pozitën e kryeprokurorit në Prokurorinë e Apelit dhe 7 prokuroritë themelore, ndërsa u tha se lista nuk është përfundimtare, sepse duhet pritur edhe aplikimet eventuale, që mund të vijnë përmes postës.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka shqyrtuar dhe miratuar raportin 9-mujor, janar-shtator 2020, për veprat penale karakteristike të Mekanizmit përcjellës ndërinstitucional dhe dokumentin për politikat e trajnimit për prokurorët dhe stafin administrativ të sistemit prokurorial.

Gjatë takimit të sotëm, KPK-ja ka caktuar prokurorin Shaban Spahiu ushtrues detyre të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, pozitë të cilën do ta mbajë deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

KPK-ja në këtë takim ka autorizuar Komisionin për çështje normative të përgatisë Udhëzuesin për qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.

Po gjatë këtij takimi, zyrtari i Burimeve njerëzore, Sajmir Gjoci, është caktuar zyrtar për mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin prokurorial, paraprakisht anëtarët e Këshillit… votuan për lirimin nga detyra të zyrtarit që deri sot e ka ushtruar këtë pozitë.

Në fund të këtij takimi, Këshilli… miratoi vlerësimin e dytë të performancës në mandatin fillestar të 20 prokurorëve të shtetit, të cilët do të propozohen tek institucioni i presidentit të Republikës së Kosovës për dekretim me mandat të përhershëm.​