75 Mall Live Search
12:14 / E Enjte, 14 Dhjetor 2023 / MSH

Calit i zbutet pak dënimi i rëndë, pamje nga shtëpia e tij

Një vit pa dy ditë pasi u shpall i fajshëm nga Gjykata Speciale në Hagë, Salih Mustafa doli edhe një herë përpara trupit gjykues të Dhomave të Specializuara.

Seanca e sotme e vendosi Mustafën përballë Gjykatës së Apelit, e cila shqiptoi aktgjykimin në rastin e tij.

“Apeli lë në fuqi verdiktin e fajësisë së Salih Mustafës për krime lufte dhe ndalim arbitrar. Anulon dënimin me 10 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, cakton dënim me 8 vjet burgim. Anulon dënimin me 22 vjet dënim për pikën 3, cakton dënim me 20 vjet burgim, anulon 25 vjet burgim për pikën 4, cakton dënim me 22 vet burgim. Anulon dënimin me 26 vjet burgim, cakton një dënim me 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim”, tha kryetarja e panelit të Apelit.

Komandant “Cali”, më 16 dhjetor të vitit të kaluar, u dënua me 26 vjet burg, për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë, në kompleksin e ndërtesave të Zllashit.

Vendimi i Gjykatës u dërgua në instanca më të larta nga ekipi mbrojtës i Mustafës, i cili më 2 shkurt të këtij viti apeloi kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

Ekipi i Indeksonline qëndroi sot pranë shtëpisë së Salih Mustafës, aty ku banon familja e tij.

Familja e Mustafës refuzoi të flasë përpara kamerës por që prapa saj u shpreh se ndjehen nën ethe dhe janë duke përcjellë me emocione të përziera tërë procesin gjyqësor të ditës së sotme.

Komandant “Cali” u arrestua në shtator të vitit 2020.

Ai ka qenë komandant i Njësisë BIA të UÇK-së, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit./Indeksonline/