Call-centeri mashtrues tek “Atti Tower”, Gjykata lë në paraburgim 8 të arrestuarit
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tetë të arrestuarit lidhur me aksionin e SPAK-ut ndaj call-center-ave mashtruese në kryeqytet.
Për dy nga të arrestuarit, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, me një afat prej 20 ditësh.
Remir Gjoligaj- arrest me burg
Endri Gjata- arrest me burg
David Qerimi- arrest me burg
Elis Merkaj- arrest me burg
Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditë
Odeas Kuqi- arrest me burg me afat 20 ditë
Hysen Xhepexhiu- arrest me burg
Klaudio Kaçupi – arrest me burg
Sakaq, vijon puna për gjetjen e tre të tjerëve të shpallur në kërkim.
Operacioni i SPAK-ut
Ata akuzohen se në dy ambiente në katin e nëntë dhe të 13 në një ndërtesë në qendër të Tiranës, përballë katedrales ortodokse, kanë mashtruar shtetas italian dhe evropianë për investime në kriptomonedha.
Kanë qenë gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene” të cilët kanë dorëzuar në SPAK materiale të punës së tyre që ndihmuan në zbulimin e kësaj veprimtarie.
Sipas njoftimit të SPAK puna ishte e mirë organizuar me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane. Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, duke përdorur jo vetëm kamerat, por edhe personel vëzhgimi, jashtë kësaj qendre tek kulla “Atti Tower”.
Për dy ditë me radhë SPAK gjurmoi në qendër të kryeqytetit organizatorët e aktivitetit mashtrues, pasi lëviznin ambientet për të mos u kapur.
“Mbrëmjen e datës 15 Janarit pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme dhe me 16 janar në orët e para të mëngjesit janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve. Nga verifikimet e shpejta u identifikuan personat dhe automjetet e përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira”, njoftoi SPAK më 18 janar.
Në katin e pestë të objektit tjetër në qendër të Tiranës u zbulua një tjetër call center ne ndërtim e sipër.
Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta SIM, dokumente, dhe blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë, po transportonin një kosh mbeturinash, brenda së cilit kishte sende nga call-center-i tjetër, të cilat ishin duke i asgjësuar.
Me urdhër të SPAK u kontrolluan 28 ambiente, përfshirë banesa, automjete, zyra dhe garazhe, në të cilat u sekuestruan kompjutera, kamera sigurie, sistem rrjeti kompjuterik servera, dhe automjete të ndryshme.

