75 Mall Live Search
21:13 / E Mërkurë, 03 Janar 2024 / S Z

Cameron arrin në Kosovë, pritet në aeroport nga Gërvalla

Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka mbërritur në Kosovë, në një vizitë një ditore, ku do të zhvillojë takim me Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin, Albin Kurti dhe zv.Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.


Kjo është vizita e parë që Lord David Cameron zhvillon në Ballkan pas zgjedhjes së tij si Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Republika e Kosovës është destinacioni i tij i vetëm nga shtetet e Evropës Juglindore që kësaj radhe viziton ai.


Në njoftimin e MPJD-së thuhet se kryediplomati David Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me të cilën do të zhvillojë takim ditën e nesërme duke filluar nga ora 08:30 në zyrat e MPJD-së.


Pas takimit dypalësh, zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron do t’iu adresohen medieve.


David Cameron ka qenë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 dhe aktualisht ushtron detyrën e Ministrit të Jashtëm.