14:27 / E Mërkurë, 31 Gusht 2022 / k.v

Çanak: Praktikisht, Serbia njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), Nenad Çanak, ka thënë sot se Serbia me njohjen e dokumenteve të identitetit të Kosovës, praktikisht e ka njohur Republikën e Kosovës dhe sovranitetin e saj thelbësor mbi atë territor.

Vendimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të njohur dokumentet e Kosovës, shtoi Çanak, është një “lëvizje korrekte e detyruar”.

Çanak ka thënë për mediat serbe, transmeton RTK2, se është e qartë që për një kohë të gjatë, që nga viti 1999, lidershipi i Republikës së Serbisë do të bëjë gjithçka, përveçse “të pranojë se e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Meqenëse pala kosovare insistonte në konceptin e reciprocitetit, ishte e pritshme që Serbia të duhej të njihte dokumentet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

I pyetur nëse presidenti Vuçiq do t’i njohë edhe targat RKS, Çanak tha se nuk ka dallim në mes të njohjes së letërnjoftimeve dhe targave dhe se është logjike që qeveria t’i njohë targat RKS.

“Meqenëse rubikoni është kapërcyer, është vetëm çështje kohe para se të njihen edhe targat RKS”.

Çanak tha se pret që targat e KM të mos ndalohen, gjë që do ta dëmtojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ashtu si Vuçiqin e lëndojnë letërnjoftimet e Kosovës, po ashtu edhe Kurti do të lëndohet nga targat serbe”, tha ai.

Çanak tha se njohja e pavarësisë së Kosovës ul tensionet në Ballkan “e të cilat tani këto tensione janë të nevojshme për Kremlinin(Rusisë)”.

“Sipas mendimit të udhëheqjes ruse, rindezja e Ballkanit mund të largojë vëmendjen nga Ukraina,” tha kreu i LSV.

Ai tha se politika e Serbisë për të “ulur në dy karrige” tani ka hyrë në një fazë të re dhe se do të zgjasë.

“Në njërën anë Serbia e ka njohur Kosovën pa e pranuar se është njohur dhe nga ana tjetër kemi emërimin e të preferuarit të Kremlinit, Ivica Daçiq si koordinator të të gjitha shërbimeve të sigurisë”.

Çanak tha se emërimi i Daçiqit është një lëshim për Rusinë, dhe njohja e Kosovës është një lëshim për Perëndimin.

“Politika e “uljes në dy karrige” do të vazhdojë, por është mirë që do të shkojë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, tha ai.

Ai ka theksuar se “nëse Republika e Kosovës do të ishte njohur nga demokratët, Beogradi do të digjej sot”.

“Duke qenë se demokratët nuk janë në pushtet, sot kemi demonstrata kundër marshimit të LGBT-ve dhe të gjithë bëjnë sikur janë të vdekur për njohjen e Kosovës, që do të thotë se “opozita patriotike” pothuajse nuk ekziston”, tha Çanak.