Bildti për mospjesëmarrjen e palës së Kosovës: Ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë

Bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Carl Bildt është deklaruar për zhvillimet e fundit politike të Kosovës dhe Serbisë si dhe për mospjesëmarrjen e delegacionit të Kosovës në takimin e parashikuar të zhvillohet, më 27 qershor në Washington.
Sipas Bildtit ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë.
“Ky është fundi i takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë rreth marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai në Twitter, transmeton Indeksonline.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka anuluar pjesëmarrjen e tij në takimin e Washingtonit pas dorëzimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale.
Pas kësaj edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka njoftuar sot se anulon pjesëmarrjen e tij në takimin me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë, me arsyen se delegacioni i palës kosovare pa presidentin e vendit, Hashim Thaçi është i përgjysmuar.
Është vetë i dërguari i Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cili mbrëmë tha se mezi pret takimin e 27 qershorit ku sipas tij pala kosovare, do të përfaqësohej nga Avdullah, Hoti kurse pala serbe nga Aleksandar Vuçiqi./Indeksonline/