21:41 / E Mërkurë, 04 Shtator 2019 / indeksADMonline

Çaushi: Në politikë jam për ndryshime e jo për të mbështetur kulte

Deputeti nga rradhët e PSD-së, Driton Çaushi ka thënë se në bashkëpunim me kryeministrin Haradinaj, ne i ndaluam pazaret e Thaçit për territorin e Kosovës.

Çaushi përmes një postimi në facebook tha se lista e koalicioni AAK-PSD, pjesë e së cilës është edhe ai është lista e fitores.

Ja postimi i tij:

Të dashur qytetarë,

Në vitin 2011 kur u ktheva në Kosovë, me shumë pasion e fillova punën në Universitetin e Prishtinës. Besoja që kontributi im sado i vogël në universitet, do të ndikonte për të mirë dhe ndihesha mirë që këtë e bëja në vendin tim.

Nuk e kisha menduar asnjëherë se do të angazhohesha politikisht. Por, shumë shpejt e kuptova se gjendja në vendin tonë ishte alarmante në të gjitha fushat. Si në ekonomi, ashtu edhe në arsim e shëndetësi. E, ndaj kësaj gjendjeje, nuk mund të qëndroja indiferent. Prandaj vendosa të angazhohem në politikë, për t’i ndryshuar gjërat.

Ju që më zgjodhët deputet për dy mandate me radhë, ju falënderoj nga zemra. Disa nga ju mund të jeni zhgënjyer me ndarjen e grupacionit tonë politik dhe këtë e mirëkuptoj. Mirëpo, në politikë u angazhova për t’i ndryshuar politikat e mbrapshta në Kosovë e jo të mbështes kulte individësh.

Përgjatë këtyre viteve si deputet në Kuvendin e Kosovës u angazhova për disa çështje, e veçanërisht për arsimin dhe mjedisin. Si pjesë e PSD-së, sollëm një kulturë të re në politikbërjen e Kosovës. Nga pozicioni opozitar, ndërmorëm hapa konkret që e ndikojnë jetën e qytetarit të vendit.

Në bashkëpunim me kryeministrin Haradinaj, ne i ndaluam pazaret e Thaçit për territorin e Kosovës, e mbështetëm vendimin për taksë 100% ndaj produkteve serbe, e mbështetëm krijimin e Ushtrisë së Kosovës, e defaktorizuam Listën Serbe, e rritëm pagën minimale, e rregulluam ligjin për paga dhe e filluam reformën për sistemin pensional.

Tani, Kosova gjendet në një udhëkryq të ri. Krahas arritjeve të lartpërmendura që e forcojnë shtetin tonë, duhet të nis transformimi i sistemit të arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë së vendit. Kosova duhet ta kthejë fokusin tek qytetarët e vendit. Koalicioni AAK-PSD, koalicion ky që në vete ngërthen dijen dhe guximin politik, është garanca më e mirë për t’i arritur të gjitha këto synime tonat të përbashkëta.

Ne nuk mund ta humbasim këtë mundësi për ndryshime. Prandaj, përkundër dallimeve tona, ne u bashkuam që të garojmë së bashku. Jo për poste, por për politikat që na bëjnë bashkë.

Lista e këtij koalicioni, pjesë e së cilës do të jem edhe unë, është lista e fitores. E fitorja jonë, do ta sjellë ndryshimin.