75 Mall Live Search
12:04 / E Shtunë, 07 Mars 2020 / indeksADMonline

Ç’duhet të dini nëse shkoni në palestër gjatë kësaj kohe

Në ditët që po jetojmë, është e rëndësishme të tregohemi vigjilent ndaj çdo aktiviteti. Frika nga koronavirusi ka pezulluar një pjesë të mirë të tyre, por a duhet të ndalojmë aktivitetin fizik? A paraqet rrezik e shkuara në palestër gjatë kësaj kohe?

Palestrat janë të mbushura me njerëz të djersitur, frymëmarrje të rënduar dhe pajisje që kapen nga shumë duar njëkohësisht. Me të drejtë, mendja shkon tek mikrobet dhe pasiguria është më e madhe se zakonisht.

Bazuar tek CDCP (Centers for Disease Control and Prevention), shumica e njerëzve, janë shumë pak të rrezikuar të preken nga koronavirusi dhe ata që infektohen shfaqin simptoma më të moderuara të kollës, temperaturës, apo vështirësisë në frymëmarrje. Kjo, s’do të thotë që duhet të mungojë kujdesi dhe vigjilenca në nivele më të larta se zakonisht.

Mikrobet qëndrojnë në sipërfaqe, prandaj gjëja kryesore që duhet të bëni është të siguroheni vetë për të fshirë/larë pajisjen që do të përdorni për t’u stërvitur.

Mos harroni larjen e duarve me sapun dhe ndërrimin çdo ditë të shishes me ujë. Peshqiri gjithashtu duhet të jetë shumë i pastër dhe i vendosur diku që nuk ka kontakte me peshqira apo sipërfaqe të tjera. 

Nëse frika dhe tensioni që keni është i madh, një pauzë do të ishte zgjedhja e duhur. Aktiviteti nga shtëpia përmes videove të fitness-it në YouTube është alternativë e mirë.

Çfarë s’duhet të bëni në mënyrë kategorike është të shkoni në palestër nëse nuk ndiheni mirë. Trupi ka nevojë për pushim që të rimarrë veten. Mbrojtja e vetes dhe e të tjerëve rreth e rrotull është masa më e mirë për parandalimin e koronavirusit.