75 Mall Live Search
12:05 / E Premte, 31 Janar 2025 / k.v

CEFTA në Konferencën e nivelit të lartë mbi integrimin ekonomik rajonal

Sekretariati i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë mbi integrimin ekonomik rajonal, e mbajtur më 27-28 janar 2025 në Beçiq të Malit të Zi. Konferenca me temën: “Fuqizo. Integro. Rritu.”, mblodhi së bashku vendimmarrës të lartë, zyrtarë të BE-së, drejtues biznesesh dhe ekspertë rajonalë për të diskutuar përparimin dhe sfidat e bashkëpunimit ekonomik rajonal, me fokus në rrugën e rajonit drejt integrimit në tregun unik të BE-së. 

Drejtoresha e përkohshme e sekretariatit të CEFTA-s, Danijela Gaçeviq, mori pjesë në panelin “Duke ecur përpara – mbështetja e integrimit rajonal dhe integrimit me BE-në”. Gjatë fjalës së saj, znj. Gaçeviq theksoi rolin kyç të CEFTA-s në nxitjen e bashkëpunimit tregtar, eliminimin e pengesave tregtare dhe reformat që përafron rajonin me standardet dhe prioritetet e BE-së. 

“CEFTA ka dëshmuar se është një partner kyç në integrimin e rajonit në tregun unik të BE-së”, theksoi znj. Gaçeviq. “Përpjekjet tona tashmë kanë sjellë përfitime konkrete për bizneset dhe qytetarët në Ballkanin Perëndimor, dhe diskutimet e sotme nxorën në pah arritjet tona dhe hapat e ardhshëm. Synim yni është të ndërtojmë një rajon të ndërlidhur dhe të harmonizuar me standardet e BE-së, i gatshëm për të përfituar nga mundësitë e tregut unik”. 

Konferenca trajtoi temat kryesore të bashkëpunimit ekonomik rajonal përmes sesioneve interaktive, si: 

– Zbatimi i Planit të ri të rritjes – Diskutimi mbi prioritetet dhe strategjitë për përafrimin e Ballkanit Perëndimor me standardet e BE-së. 

– Avancimi i integrimit tregtar – Paraqitja e reformave të politikave dhe shembujve të suksesit në lehtësimin e tregtisë. 

– Promovimi i bashkëpunimit rajonal – Theksimi i arritjeve në ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal konkurrues dhe të qëndrueshëm. 

Gjatë ngjarjes, u vunë në pah marrëveshjet e fundit të miratuara nga CEFTA si hapa të rëndësishëm në avancimin e tregut të përbashkët rajonal. Këto përfshijnë marrëveshje mbi tregtinë elektronike, shpërndarjen e pakove, heqjen e bllokimeve gjeografike, njohjen e programeve AEO, menaxhimin e rreziqeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke demonstruar përkushtimin e CEFTA-s për të krijuar mundësi të reja për bizneset dhe qytetarët në rajon. 

“Puna jonë nuk ka përfunduar,” përfundoi znj. Gaçeviq. “Integrimi i plotë në BE kërkon përkushtim dhe inovacion të vazhdueshëm. CEFTA mbetet e përkushtuar për të krijuar një mjedis ekonomik ku bizneset lulëzojnë, qytetarët përfitojnë nga mundësi më të mëdha dhe rajoni forcon partneritetin e tij me BE-në”.