75 Mall Live Search
10:28 / E Shtunë, 28 Janar 2023 / shkelqim osmanaj

Çekët votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Çekët po votojnë për të zgjedhur pasuesin e presidentit aktual, Milos Zeman, mandati i dytë i të cilit përfundon në mars.Në garë janë ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel dhe ish-kryeministri Andrej Babish, një miliarder popullist.

Qendrat e votimit janë hapur të premten në orën 14:00 dhe mbyllen sot në të njëjtën orë. Ndërsa rezultatet preliminare të zgjedhjeve pritet të bëhen publike në pasditen e së shtunës.Të drejtë vote kanë 8.3 milionë banorë.

Në Republikën Çeke, roli i presidentit është ceremonial, mirëpo presidenti i jep mandat qeverisë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.Tema dominuese në zgjedhje ka qenë lufta e Rusisë në Ukrainë.

Babish, 68-vjeçar, ka tentuar të portretizojë kundërshtarin e tij si luftënxitës dhe ka bërë thirrje për organizimin e një konference të paqes në Pragë.Pavel, i cili është 61-vjeçar, ka qenë në favor të dërgimit të ndihmës në Kiev.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, rezultati mes tyre ka qenë i ngushtë – të dy kanë fituar rreth 35 për qind të votave. Sondazhet e nxjerrin fitues Pavelin.