15:06 / E Enjte, 13 Qershor 2019

Çekia mbështet Kosovën në anëtarësimin e saj në Interpol

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka filluar takimet me delegacionet më të larta shtetërore të shtetit çek.

Mikpritje e ngrohtë nga ministri i jashtëm i Çekisë, Tomas Petricek, një mik i Kosovës dhe përkrahës i proceseve integruese të Republikës së Kosovës u realizua në ambientet e këtij institucioni.

Në takim u bisedua për thellimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ndërtimin e një partneriteti gjithëpërfshirës, në të gjitha fushat me theks në zhvillimin ekonomik dhe të investimeve.

Ministri Pacolli, ndër të tjera ngriti çështjen e zhvillimit të Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mënyrat e bashkëpunimit për të ndërtuar të ardhmen në BE.

Ndërsa, ministri Petricek u zotua për mbështetjen e shtetit të Kosovës në proceset e saj demokratike dhe të konsolidimit ndërkombëtar. Ai gjithashtu mirëpriti dhe mbështeti punën e bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara për Kosovën në liberalizim të vizave.

Ministri Petricek tha se Çekia do ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin e saj në Interpol, siç ka bërë edhe në të kaluarën.

Në fund dy ministrat u pajtuan se duhet thellim i marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat.

Ministri Pacolli ftoi për vizitë zyrtare në Kosovë ministrin Petricek, që së bashku të shohin progresin e arritur ndër vite.