21:21 / E Enjte, 10 Qershor 2021 / G

Çeku për aktivitetin e Kishës Ortodokse në Prishtinë: Nuk u njoftuan autoritetet kosovare

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku e ka komentuar aktivitetin e sotëm të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovës të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën.

Çeku  ka thënë se zyrtarët e policisë së Kosovës nuk kanë qenë të njoftuar për mbajtjen e këtij aktiviteti.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”

Ky është postimi i plotë i tij:

Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë.

Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë.

Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve.