23:55 / E Premte, 08 Shtator 2023 / Gj. Sh

Çeku për Lojërat Mesdhetare: Në Kosovë do të bëhen bashkë 26 shtete nga tri kontinente

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka folur për lajmin e madh që mori Kosova për të organizuar Lojërat Mesdhetare.

Çeku, i ftuar në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë se kjo është një ngjarje ku do të bëhen bashkë shumë shtetet nga tri kontinente të botës, njofton Klankosova.tv.

“Shtatë dekada përvojë, shtetet e ndryshme nga Spanja Turqia nga Greqia, shtetet si Algjeria apo në të kaluarën edhe shtetet e rajonit tonë, kanë qenë organizatore të këtyre lojërave, dhe asnjëherë nuk është e lehtë kush i organizon, po flasim për një ngjarje multisportive, ku bëhen bashkë 26 shtete nga tri kontinente, ku po flasim mbi 25 disiplina sportive, edhe në kategorinë e meshkujve dhe të femrave”, u shpreh Çeku.

“Po flasim për mbi pesë mijë sportistë që do të vinë në Kosovë, dhe për një numër shumë të madh që do të vinë t’i përcjellin këto ngjarje”.

Çeku, mes tjerash tregoi se edhe investimet që do të bëhen, teksa shtoi se do të kërkojnë para shtesë nga të tjerët.

“Patjetër që do të bëhen shumë investime, çka na bën komod në këtë rrugëtim, shumë e paraparë për investime në infrastrukturë fizike sportive në shtatë vitet e ardhshëm ka qenë e paraparë në kornizën e qeverisë”.

“Mbi 250 milionë euro investime që do të ndodhin në këtë periudhë, këto janë investime vetëm me buxhetin e Republikës së Kosovës. Ne do të insistojmë që të ftojmë qoftë sektorin privat, partnerët e tjerë, qoftë donatorët e tjerë ndërkombëtarë”, shtoi ministri.