75 Mall Live Search
13:21 / E Premte, 10 Tetor 2025 / S Z

Çeku: Taksitë janë pjesë e rëndësishme e sistemit të transportit në Prishtinë

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, më 8 tetor zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Autotaksive, ku u diskutua për sfidat e përditshme të sektorit dhe mënyrat për përmirësimin e lëvizshmërisë në qytet.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ndërsjellë mes komunës dhe shoqatës për ndërtimin e një sistemi më efikas të transportit urban. U përmend nevoja për më shumë hapësira të dedikuara për taksitë, standarde të qarta të komunikacionit dhe komunikim të rregullt me inspektoratin komunal.

Çeku theksoi se taksitë janë pjesë e rëndësishme e sistemit të mobilitetit të Prishtinës, duke ndihmuar në ofrimin e një shërbimi më të qasshëm dhe më të mirëorganizuar për qytetarët.

“Nuk i shoh taksitë si biznes të ndarë, por si pjesë të një sistemi që u mundëson qytetarëve të lëvizin më lehtë në Prishtinë,” u shpreh ai.

Ai shtoi se vetëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm mund të krijohen kushte që sigurojnë shërbim më cilësor për qytetarët, duke synuar një Prishtinë më funksionale.