Çelësat e lokaleve hidhen para objektit të Qeverisë

Gjatë protestës së sotëm të përfaqësuesve të Gastronomisë së Kosovës është realizuar edhe një aksion simbolik, ku çelësat e lokaleve të shumta janë hedhur para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Kjo si domethënie simbolike se shteti tashmë ua ka vendosur çelësat pas vendimeve të ndërmarra muajt e fundit dhe mos-ndihmës së ofruar për këtë sektorë, shkruan Indeksonline. Punëtorë e pronarë të shumtë të lokaleve u bën bashkë sot për një kërkesë të përbashkët, që Qeveria t’u ofrojë edhe atyre ndihmën e nevojshme financiare.

Kryetari i Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi deklaroi sot se virusi ekziston, distanca është e nevojshme dhe se masat duhet respektuar.
“Mirëdita sektori i dytë më i madh i punësimit të Kosovës, mirëdita 30 mijë punëtorë të Kosovës, mirëdita gastronomë. U bënë katër muaj që s’kemi mbështetje nga shteti, katër muaj që shteti jonë s’po na e jep dorën. Shteti që na ia dhamë e po ia japim taksën, shteti që ia shtuam vlerën, ia pritëm mysafirët, e ia punësuam rininë. Krejt ia bëmë e ata s’po na e dhënë dorën.Riprogramim të kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në mjete financiare, përkrahje për paga dhe qira edhe për së paku tre muaj, ulje të TVSH-së në 8% përkohësisht, zgjatje të orarit të punës, shtyrje për deklarim të pagesave të tatimeve për së paku edhe tre muaj, mbështetje në shpenzimet e rrymës, ujit dhe mbeturinave, si dhe mbështetje në kompensim të mallit të dëmtuar”, tha Kllokoqi.
Ai shtoi se nëse nuk ka reagime nga qeveria, të hënën e ardhshme do t’i sjellin arkat fiskale dhe se sot është një aksion simbolik ku po jepen çelësat e lokaleve, pasi sipas tyre qeveria tashmë ua ka vendos çelësin.
“Ne jemi të parët që u mbyllëm, por duam përkrahje për cka punuam për 20 vjet e sot s’po na ndihmon askush”,shtoi ai./Indeksonline/



