22:46 / E Mërkurë, 19 Tetor 2022 / AR

Censusi në Luginë, deri më tani më shumë se 88 mijë të regjistruar

Mbi 88 mijë persona në Luginë janë regjistruar në Censusin e Popullsisë në Serbi, që është në ditën e tij të 19-të.

Lajmin e shpërndau kryebashkiaku i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Ndërkohë Hevzi Ramadani, kryeshef i administratës komunale në Preshevë, ka dhënë statistika më të detajuar për sa i përket komunës së Preshevës, që përfaqëson popullsinë më të madhe në Luginë.

Sipas tij, “mbi 44.000 është numri i qytetarëve të regjistruar për 19 ditë në komunën e Preshevës. Tashmë i gjithë territori komunës është i mbuluar me regjistrues. Në çdo vendbanim regjistrimi është kryer mbi 75% me përjashtim të Miratocës e cila është rreth 60% ku tashmë i kemi angazhuar 7 regjistrues të cilëve banorët e Miratocës po i ndihmojnë në çdo aspekt që sa më shpejt të përfundojnë regjistrimin”.

Pjesëmarrja në vendbanimet ka qenë  deri më tani 19.350 në Preshevë, 4.900 në Rahovicë, 2.900 në Miratocë, 2.800 në Raincë, 2.100 në Corroticë, 1.630 në  Zhunicë dhe 1.550 në Tërrnavë, ku  të dhënat janë për banorë rezident dhe jorezident.  

Në regjistrimin e popullsisë në Serbi po marrin pjesë dhe shqiptarët, për herë të parë në 20 vitet e fundit. Financimi nga Bashkimi Europian dhe monitorimi nga afër i OSBE-së dhe Eurostat, ka kthyer besimin në Luginën e Preshevës.